Masa e perfitimit te ndihmes financiare si pasoje e COVID - 19
Updated: May 18, 2020

VENDIM Nr.341, datë 23.4.2020
PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.305, DATË 16.4.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, TË DOKUMENTACIONIT DHE TË MASËS SË PËRFITIMIT TË NDIHMËS FINANCIARE PËR TË PUNËSUARIT AKTUALË DHE PUNONJËSIT E LARGUAR NGA PUNA SI PASOJË E COVID-19”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, dhe të pikës 5, të nenit 41, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Në vendimin nr.305, datë 16.4.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në kreun I bëhen shtesat, si më poshtë vijon:
a) Në fund të nënndarjes “i”, të shkronjës “b”, të pikës 4, shtohen fjalët “... sipas përcaktimit në urdhrat e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.”. b) Pas pikës 6 shtohen pikat 7 dhe 8, me këtë përmbajtje: “7. Dhënie ndihme financiare prej 40 000 (dyzet mijë) lekësh për punonjësit e Rafinerisë së Naftës, Ballsh, të cilët figurojnë në listëpagesën e muajit dhjetor 2019 dhe që kanë një pagë bruto nën masën 100 000 (njëqind mijë) lekë/muaj. 8. Dhënie ndihme financiare prej 16 000 (gjashtëmbëdhjetë mijë) lekësh për aplikuesit e ndihmës ekonomike, të cilët rezultojnë aplikues që nga muaji korrik 2019 e deri në muajin prill 2020, të cilët nuk kanë përfituar ndihmë ekonomike dhe, aktualisht, nuk përfitojnë as nga fondi 6 për qind akorduar bashkive, përveç rasteve që janë përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike, sipas nenit 15, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”.
2. Pas pikës 6, të kreut III, shtohet pika 7, me këtë përmbajtje:
“7. Drejtoritë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror dërgojnë listat e familjeve, të cilat nuk janë përzgjedhur përfituese të skemës së ndihmës ekonomike pranë bashkive, për të njoftuar familjet dhe për të kryer pagesat për ndihmën financiare.”.
3. Kreu V ndryshohet, si më poshtë vijon:
“V. Çështje të fundit 1. Efektet financiare, në masën 7 269 200 000 (shtatë miliardë e dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë milionë e dyqind mijë) lekë, do të përballohen nga zëri “Kontingjenca për paketën sociale anti- COVID”, miratuar në buxhetin e shtetit, për vitin 2020. 2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, drejtoritë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.”. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTËR
Edi Rama
Botuar ne F.Zyrtare 75/2020
Dale nga shtypi me 27.04.2020



Comments