Ligji i Ndryshuar Për Tatimin Mbi Të Ardhurat: Ligji detyron regjistrimin si biznes të qiradhënësve
Të ardhurat me burim në Republikën e Shqipërisë mund të identifikohen, edhe nisur nga pagesat që bëjnë personat jorezidentë tatimorë në Shqipëri për persona rezidentë tatimorë në Shqipëri pavarësi detyrimi i paguesit të të ardhurave për të mbajtur tatimin në burim apo detyrimit të përfituesit të të ardhurave për të deklaruar të ardhurën e marrë dhe për të paguar detyrimin tatimor në lidhje me këtë të ardhur. Si shembull përmendim të ardhurat dhe pagesat për personat rezidentë shqiptarë nga platformat e internetit, si: Google, Tik-Tok, Instagram, Facebook, Youtub etj. Airbnb, Booking etj., apo në platforma të blerjes së mallrave, si Amazon, Alibaba etj. Mënyrat e deklarimit dhe pagesës në Shqipëri të detyrimeve tatimore për të ardhurat e tatueshme në Shqipëri dhe që lidhen me përdorimin e këtyre siteve dhe platformat e deklarimit dhe pagesës së detyrimeve, zhvillohen nga administrata tatimore dhe u vihen në dispozicion përdoruesve.
Duke nisur nga sot, kush jep prona me qira në platformat “Booking” apo “AirBnb” nuk do ketë më mundësi të operojë në informalitet.
Mes kompanive ndërkombëtare që ofrojnë këtë lloj shërbimi dhe administratës tatimore është vendosur bashkëpunimi për formalizimin e tregut dhe për taksat që duhet të paguhen për të ardhurat e gjeneruara nga qiratë afatshkurtër. Me kërkesë të autoriteteve shqiptare, platforma Booking, nëpërmjet një njoftimi, u ka kërkuar pronarëve të apartamenteve se nëse nuk deklarojnë NIPT-in, nga 1 Nëntori do të paguajnë 20% TVSH për komisionet që mban Booking.
Pra, nëse një shtëpi ka një qira ditore 100 euro, “Booking” merr zakonisht 12-18% komision, ose 12-18 euro. Tashmë platforma do t’u mbajë pronarëve të apartamenteve TVSH-në mbi komisionin që ajo merr, 2.4-3.6 euro shtesë. Këtë shumë, “Booking” do t’ua paguajë më pas autoriteteve fiskale shqiptare. Pavarësisht se shuma që “Booking” do të mbajë si TVSH mbi komisionet mund të mos jetë shumë e lartë, synimi i Tatimeve është që përmes këtyre pagesave të identifikohen individët e regjistruar në këtë platformë, pasi të dhënat nga pagesat e kryera nga “Booking” do t’i dërgohen Drejtorisë së Tatimeve.
Këta të fundit do t’u drejtohen më pas pronarëve të apartamenteve për t’u kërkuar që të paguajnë taksat mbi të ardhurat që ata përfitojnë, në bazë të legjislacionit fiskal. Pas identifikimit nga tatimet, individët pronarë kanë dy alternativa: Të vazhdojnë që të mbajnë statusin që kanë, d.m.th. të mos regjistrohen në tatime, por ndërkohë duhet të paguajnë 15% si tatim mbi të ardhurat që ata marrin nga qiraja. Ose të regjistrohen si subjekt tregtar të kategorizuar, si struktura akomoduese për të cilat detyrimi i TVSH-së është 6%. Kategorizimi si strukturë akomoduese për përfitimin e TVSH-së 6% kryhet nga Ministria e Turizmit, dhe më tej pas marrjes të tij, subjekti tregtar regjistrohet për NIPT në Tatime.




Comments